Rregullorja’ e shkatërrimit të produkteve ‘pa standart’/ Çfarë përcaktoi Këshilli i Ministrave
Këshilli i Ministrave ka përcaktuar rregullat dhe procedurat e shkatërrimit të produkteve që nuk përmbushin standartet e sigurisë ushqimore, si dhe nuk mund të kthehen në vendin e origjinës nga tregtuesit.
“Ky vendim ka për objekt përcaktimin e rregullave dhe të procedurave të shkatërrimit të produkteve, me qëllim identifikimin e kushteve të nevojshme për ruajtjen, trajtimin, transportimin dhe shkatërrimin e tyre në mënyrë të tillë që mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të njeriut e të mjedisit të jenë të garantuara” shkruhet në dispozitën e përgjithshme të vendimit.
Vendimi parashikon shkatërrimin e produkteve, duke mos dëmtuar natyrën, përfshirë këtu ujin, ajrin, tokën, bimët, apo kafshët. Produktet duhet të paketohen, shënohen qartë “Produkte për shkatërrim”, apo të ruhen të ndara nga produktet e përdorshme për treg.
“Struktura përgjegjëse bën klasifikimin dhe verifikimin e produkteve në ambiente të hapura ose të ajrosura. Verifikimi duhet të përmbajë këto elemente: identifikimin e produkteve, ndarjen dhe klasifikimin e produkteve sipas metodës së shkatërrimit, pajisjen e stafit, i cili do të merret me ndarjen dhe klasifikimin e produktit, me mjetet mbrojtëse për shëndetin, si doreza, çizme, maska etj., paketimin e produkteve për shkatërrim me etiketat dhe shënimin përkatës për metodën e shkatërrimit, ruajtjen e materialeve sipas kritereve të përcaktuara në këtë rregullore, marrjen përsipër të kostos së shkatërrimit/ pagesën nga operatori ekonomik” specifikohet në një nga pikat e ‘rregullatores’.
Vendimi i Këshillit të Ministrave do të hyjë mennjëherë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.