Rrënohet kompania shtetërore – Raporti: Sha. “Kripa Vlorë”, ja vjedhjet dhe shpërdorimet
Një audit i kryer në kompaninë shtetërore, Sha. “Kripa Vlorë”, nxjerr në pah rrënimin total që i është bërë shoqërisë, nga keqmenaxhimi, te zhdukja e aseteve, te dhënia në përdorim te privatët pa asnjë përfitim të shtetit.
Gjendja e mjerueshme e kompanisë zbardhet nga një audit i Ministrisë së Financave, për periudhën 2013-2016. Auditimi zbardh se nga shkatërrimi i ndërtesave, vjedhja e mjeteve, mungesa e inventareve është shkaktuar një dëm prej afro 400 mijë dollarësh.
Sha. Kripa Vlorë rezulton pa aktivitet tregtar nga viti 2010 e në vijim, me kosto në buxhetin e shtetit për mbajtjen e stafit dhe Këshillit Mbikëqyrës si dhe shpenzime të tjera. E megjithatë ajo ka lejuar ushtrimin e aktivitetit privat në pasurinë e shoqërisë (truall dhe ndërtesa) nga viti 2010 e në vijim, pa kontratë, pa vjelë të ardhura për shoqërinë, si dhe ka lejuar banorët të zaptojnë ndërtesa/truall në pronë të shoqërisë, pa asnjë lloj kontrate.
Nga ana tjetër, Shoqëria ka penguar zbatimin e kontratës së lidhur më datë 13.10.2011, me afat 20 vjet, me një subjekt privat, për dhënien me qira të objektit me sipërfaqe të përgjithshme 15.000 m2, për “Ngritjen dhe funksionimin e një Parku Biznesi”.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.