Rrezikohen investimet e remitancat-“Stuhitë” me të cilat mund të përballet ekonomia shqiptare!
Pavarësisht parashikimeve optimiste të qeverisë në afatmesëm, për uljen e borxhit publik dhe ecurinë pozitive të ekonomisë, Shqipëria mbetet mjaft e ekspozuar ndaj risqeve nga ngadalësimi potencial i rritjes ekonomike në Evropë, më shumë në partnerët kryesorë të shkëmbimeve tregtare.
Në strategjinë e menaxhimit të financave publike 2019-2022, thuhet se një rënie ekonomike në këto shtete mund të sjellë nivele më të ulëta të eksportit, të dërgesave private nga jashtë dhe të investimeve të huaja të drejtpërdrejta (IHD).
Ndërkaq, nënvizohet gjithashtu se kufizimi i pritshëm i kushteve të përgjithshme financiare në rang botëror do të rrisë kostot e Shqipërisë për financime.
“Në vend, borxhi publik është i lartë, ndërsa kursimet e ulëta kombëtare dhe mungesa e investitorëve të mëdhenj institucionalë shtojnë varësinë në burimet e huaja të financimit, thuhet në strategji.
Ndërsa nuk lihet pa përmendur se mbështetja në rritje në partneritetin publik, privat (PPP-të) për projektet infrastrukturore ka sjellë edhe rritjen e detyrimeve të kushtëzuara.
Ndër risqet kombëtare përfshihet edhe ndikimi që do të kenë thatësirat në prodhimin e energjisë, duke sjellë kështu rreziqe të konsiderueshme për buxhetin.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.