Rreziku i koronavirusit në SHBA – Trump: Qetësohuni, ka për t’u zgjidhur gjithçka!
Presidenti Donald Trump tha se ekonomia amerikane mund të pësojë një goditje nga koronavirusi, por parashikoi se sfida do të largohet me kalimin e kohës, ndërkohë që mbrojti masat e tij kundër krizës. Përhapja e koronavirusit ka sjellë rënien e madhe të tregjeve të kapitalit dhe ka shtuar shqetësimet për një tkurrje ekonomike, ndërkohë që presidenti republikan i kërkon amerikanëve për një mandat të dytë.
“Ka për t’u zgjidhur gjithçka, duhet të qëndroni të qetë. Ne kemi plane për çdo alternativë, shpresoj që epidemia të mos zgjasë shumë”, është shprehur Donald Trump, Presidenti i SHBA.
Trump përsëriti komentet e tij se kufizimi në udhëtim që u vendos ndaj Kinës në fazën e hershme të epidemisë, ka ndihmuar në përmbajtjen e virusit në Shtetet e Bashkuara. Numri i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara nga koronavirusi, u rrit në 12 deri ditën e Premte, ndërkohë që u shfaqën 53 raste të reja. Mbi 3,200 persona në të gjithë botën kanë vdekur si pasojë e epidemisë. Trump është përballur me kritika nga demokratët, për mospërgatitjen e duhur të vendit për mundësinë e një pandemie. Senati i Shteteve të Bashkuara, kaloi paketën prej 8.3 miliardë dollarë ditën e Enjte për të luftuar virusin, një ditë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi në mënyrë unanime. Ligji tashmë shkon tek presidenti Trump, që do të japë firmën e tij.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.