Rreziku nga depozitat e gazit – ISHTI nis krehjen e zonës së tërmetit, Abrija: Kontroll në çdo subjekt
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka ndërmarrë një aksion për kontrollin e të gjithë subjekteve që kanë instalime elektrike dhe pajisje nën presion në zonën e Durrësit dhe Thumanës, që u goditën më së shumti nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.
Në një prononcim për TV SCAN, kryeinspektori Admir Abrija tha se gjatë së martës janë hequr depozitat me kapacitet 1000-5000 litra të gazit të lëngshëm natyror në 6 subjekte. “I hoqëm për të parandaluar incidente të mundshme, si pasojë e dëmtimeve nga tërmeti, duke qenë se nga kontaktet me ajrin gazi i lëngshëm rrit deri në 270 herë vëllimin”,-tha Abrija.
Ndërkaq, kontrollet e së mërkurës fokusohen te krehja e zonës te të gjithë subjektet e pajisur me NIPT në Durrës e Thumanë, ndonëse në dukje mund të mos kenë dëmtime nga tërmeti. Ndërkaq, sa i takon zonave të tjera, ku dëmet nga tërmeti me magnitude 6.3 të shkallës rihter ishin më të lehta, po operohet me planin normal të kontrollit.
Sipas Abrija, në total numri i inspektorëve të Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial që po kryejnë kontrolle në terren është 31.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.