Rreziku nga sëmundjet infektive – ISHP jep mbi 1.4 mln lekë për blerjen e 4 vaksinave të rralla
Instituti i Shëndetit Publik do të kryejë blerjen e katër vaksinave të rralla për udhëtarët. Kryesisht këto vaksina kanë të bëjnë me mbrojtjen ndaj sëmundjes së tërbimit dhe etheve të verdha.
Për blerjen e vaksinave ky institucion do të përdorë nga buxheti i shtetit 1.4 milionë lekë pa TVSH për rreth 240 flakon. Konkretisht mbi 729 mijë lekë do të përdoren për blerjen e vaksinë Anti-rabies, kundër sëmundjes së tërbimit në formë serumi dhe sasia do të jetë 20 flakon. Ndërkohë që po për sëmundjen e tërbimit do të blihen rreth 150 flakon me vlerë mbi 229 miljë lekë.
Ndërsa vlera financiare që do të përdoret për vaksinën kundër etheve të verdha do të jetë mbi 70 mijë lekë pa tvsh, për një sasi mbi 20 flakon. Vaksina kundër infeksioneve nga Meningokoku do të merret me të katërt shtamet e tij, dhe do të jetë në sasinë e 50 flakonëve. Vlera financiare që do të përdoret për këtë vaksinë do të jetë mbi 456 mijë lekë pa TVSH.
Blerja e këtyre vaksinave vjen si një masë parandaluese për të gjithë ata persona që udhëtojnë në shtete që kanë incidencë të lartë të sëmundjeve përkatëse.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.