“Rrëzohet” industria gjermane – Dy muaj të Covid-19, më keq se e gjithë kriza financiare
Prodhimi industrial në Gjermani ka rënë me një normë aq të lartë gjatë Prillit, sa që ekonomistët e quajtën muajin më të keq në histori për vendin, që ishte dhe kulmi i masave të karantinës së koronavirusit. Prodhimi industrial ra me 17.9% në Prill nga muaji i kaluar, duke ndjekur një rënie me 8.9% në Mars. Nga e njëjta periudhë një vit më parë, prodhimi industrial ra me 25.3%, sipas zyrës së statistikave, që theksoi se ishte rënia më e madhe që prej publikimit të serive kohore për herë të parë në vitin 1991. Rënia më e madhe e prodhimit u regjistrua tek sektori i makinave, që regjistroi një rënie me 74.6% me bazë mujore.
Të dhënat erdhën pas publikimit të porosive për mallrat industrial gjermanë, që ranë me 25.8% për muajin Prill. Analistët thonë se 2 muaj të Covid-19 kanë lënë një ndikim negativ më të madh se e gjithë kriza financiare. Gjermania ka patur një përhapje të koronavirusit shumë më të butë se në vendet e tjera perëndimore të Europës. Gjermania ka regjistruar 185,750 raste me Covid-19, një numër i ngjashëm me vendet homologe, por ka regjistruar shumë më pak vdekje. Gjermania ka raportuar 8,685 vdekje, ndërsa Franca, që ka thuajse të njëjtin numër të të infektuarve, ka regjistruar 29,158 vdekje.
Gjermania ka thënë se numri i ulët i vdekjeve vjen prej vendosjes më herët të masave të karantinës, gjurmimit të rasteve fillestare të virusit si dhe prej sistemit të modernizuar shëndetësor. Qeveria nisi të heqë masat e karantinës më 20 Prill, duke lejuar disa dyqane të vogla me pakicë dhe shitësit e makinave që të rihapen. Prodhimi i makinave u lejua të rinisë në fund të Prillit dhe masa të tjera u hoqën në fillim të Majit, përfshirë rihapjen e shkollave. Gjermania do të zbusë barrierat në udhëtim ndaj vendeve të tjera europiane më 15 Qershor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.