Rrëzohet inflacioni – 1.1% për marsin, niveli më i ulët në 3 vjet
Inflacioni pësoi një rënie të fortë dhe të papritur në muajin mars. Sipas Institutit të Statistikave, norma vjetore e inflacionit zbriti në 1.1%, nga 1.7% që kishte qenë për muajin shkurt. Ky është niveli më i ulët mujor i inflacioni i regjistruar që në mesin e vitit 2016. Rënia e inflacionit i detyrohet sidomos grupit të ushqimeve. Inflacioni i këtij grupi ra në 2% për marsin, nga 3.8% që kishte qenë për muajin shkurt.
Më në detaj, ato që ndikuan më shumë në zbutjen e inflacionit ishin çmimet e nëngrupit “fruta”, që u ulën me 7,8 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 0,7 %, “bukë dhe drithëra” me 0,6 %. Grupet e tjera regjistruan luhatje të vogla dhe ndikimi i tyre në ndryshimin e inflacionit për shkurtin ishte modest.
Burimi: Instat
Shifrat e muajit mars tregojnë se rritja graduale e inflacionit drejt objektivit prej 3% mund të ngadalësohet. Në fakt, Banka e Shqipërisë kishte parashikuar që mbiçmimit i lekut do të vazhdonte të jepte efekte në uljen e çmimeve edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Por, rënia e inflacionit në mars duket se shkon përtej pritshmërive të lidhura me efektin e kursit të këmbimit.
Në vendimmarrjen e fundit të politikës monetare, në muajin mars, Banka e Shqipërisë nënvizonte se po shtohen rreziqet për një rritje më të ngadaltë ekonomike, të shoqëruar edhe me një inflacion më të ulët. Kjo lidhet si me zhvillimet në ekonominë e eurozonës, ashtu edhe me faktorë të brendshëm, përfshi këtu krizën politike.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.