“Rrisni investimet në shëndetësi” – Grupet e interesit kërkojnë buxhet shtesë edhe për fuqizimin e spitaleve rajonale
Përveç rritjes së pagave të mjekësve dhe infermierëve, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë kërkon rritje të investimeve në sektorin shëndetësor, si një mënyrë për të ofruar kushte më të mira pune për profesionistët e shëndetësisë. Kërkesa u bë gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2021, në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë investimet për vitin që vjen kanë pësuar rritje dhe zënë 8% të buxhetit total.
Gjithashtu, grupet e interesit kërkuan buxhet shtesë për fuqizimin e spitaleve rajonale për urgjencat kirurgjikale, pasi për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19 ato po përballohen nga Spitali Universitar i Traumës, që është i mbingarkuar.
Sipas përfaqësusesve të Ministrisë së Shëndetësisë buxheti për spitalet për vitin që vjen është planifikuar në masën e 28 mld lekëve, duke pësuar rritje me rreth 3 mld lekë.
Ola Mitre – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.