Rriten çmimet e prodhimit dhe importit – Me 1.6 dhe 1.7 pikë në tremujorin e dytë të vitit
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit regjistrohet në rritje prej 1.6 pikësh përqindje gjatë tremujorit të dytë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, tregojnë të dhënat më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave. Në krahasim me tremujorin e parë të vitit ndërkohë, rritja është në masën 0.3%. Krahasuar me tremujorin e dytë 2020, rritja më e madhe e çmimeve prej 14,4 % vërehet në seksionin “Industri nxjerrëse”, pasuar nga “Energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar” me 1,5 %, “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0,5 %.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për tregun vendas, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, shënoi rritje me 1,4 %. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “Industri nxjerrëse”, me 10,2 %, pasuar nga seksioni “Industri përpunuese” me 0,8 %. Nga ana tjetër, seksioni “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe manaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” shënoi një ulje vjetore me 0,2%. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për eksport, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, indeksi shënoi rritje prej 4,0 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 26,4% është shënuar në seksionin “Industri nxjerrëse”, nga ana tjetër seksioni “Industri Përpunuese shënoi një ulje me 1,1 %.
Sa i përket indeksit të Çmimeve të Importit, në tremujorin e dytë të vitit 2021, arriti 101,3 pikë, duke shënuar një rritje me 1,7 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2020. Krahasuar me tremujorin e parë 2021 indeksi shënoi një rritje me 0,4 %.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.