Rriten fondet e investimeve – Në vitin 2020 vlera neto e aseteve të fondeve arriti rreth 67.40 miliardë lekë
Të dhënat më të fundit të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se vlera neto e aseteve të fondeve të investimeve në fund të vitit 2020 arriti në rreth 67.40 miliardë lekë me një rritje prej 615 milionë lekë ose 0.92%, krahasuar me vitin paraardhës. Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 68.48% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 3.06% në bazë vjetore.
Sipas të dhënave të mësipërme, numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e Investimit gjatë vitit 2020 është 32,655 me një rritje prej 11.67% krahasuar me vitin paraardhës. Gjatë vitit 2020, në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre shtatë fonde investimi.
Fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, “Raiffeisen Invest Euro”, “Raiffeisen Vizion” dhe “Raiffeisen Mix” të administruara nga shoqëria “Raiffeisen Invest”, fondi i investimeve “Credins Premium” nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest”, fondi “WVP Top Invest” administrohet nga shoqëria “WVP Fund Management Tirana sh.a”, fondi i investimeve “Albsig Standard” nën administrimin e shoqërisë administruese “Albsig Invest”sh.a. Shoqëria administruese “ABI Invest” sh.a. u licencua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare më datë 27.02.2020, për të kryer veprimtarinë e administrimit të aseteve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive.
Arbër Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.