Rriten gjobat për bizneset – Fiskalizimi/ Ndryshon ligji për procedurat tatimore
Në kuadër të vënies në zbatim të projektit të fiskalizimit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar projektligjin e ri për procedurat tatimore, i cili do të jetë pjesë e paketës fiskale 2020 dhe sjell një sërë ndryshimesh në procedurat administrative, por edhe në masën e ndëshkimeve që do të aplikohen. Kështu, drafti në fjalë, reflekton gjoba të rritura për blerësit me para cash që nuk tërheqin kuponin tatimor.
Konkretisht “Blerësi ose çdo pranues i faturës së lëshuar për pagesë me para në dorë, i cili nuk e merr faturën e lëshuar, dhe, me kërkesë të personit të autorizuar të administratës tatimore, nuk i tregon faturën e marrë pas largimit nga vendndodhja e biznesit të shitësit dënohet me: 100 mijë lekë nëse është tatimpagues i regjistruar për TVSH dhe/ose Tatimin mbi Fitimin; 50.000 lekë nëse është tatimpagues i regjistruar për Tatimin e Thjeshtuar mbi Fitimin; 2.000 lekë nëse është individ, konsumator final.
Deri më tani për konsumatorët final, masa administrative ka qenë 1 mijë lekë. Po ashtu, parashikohen një sërë masash që variojnë nga 50 mijë deri në 1 milionë lekë për shkelje të ndryshme në zbatim të këtij projekti, ku më e larta do të aplikohet për ato subjekte që nuk përdorin aplikacionin e ri apo nuk lëshojnë fatura të fsikalizuara, ku gjoba arrin deri në 1 milionë lekë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.