Rriten kërkesat për kapital – Nga marsi 2020, BSH kërkon nivele më të larta
Që nga marsi i vitit të ardhshëm, bankat tregtare në Shqipëri do të kenë nivele më të larta rregullatore të kapitalizimit. Në muajin qershor, Banka e Shqipërisë miratoi rregulloren “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”, të cilat do të aplikohen gradualisht gjatë katër viteve në vazhdim. Shtesat makroprudenciale ndahen në katër kategori, ku një pjesë do të jenë fikse, ndërsa një pjesë do të jenë proporcionale me rëndësinë e bankës dhe me ritmet e huadhënies.
Shtesa e parë që do të aplikohet nga marsi 2020 është shtesa konservuese e kapitalit, që do të jetë e detyrueshme për të gjitha bankat, pavarësisht nga madhësia e tyre. Shtesa konservuese do të jetë me 0.5% në vit deri në në arritjen e një rritjeje maksimale prej 2.5% në vitin 2024. Praktikisht, në vitin 2024, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit duhet të jetë minimalisht 14.5%, nga 12% që është aktualisht.
Shtesa e dytë e parashikuar është ajo kundër ciklike. Në thelb, kjo masë parashikon një rritje të kërkesave për kapital, në rast se bankat do të rrisin huadhënien me ritme shumë më të larta se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për momentin, shtesat kundër ciklike e kapitalit nuk do të aplikohen, sepse Banka e Shqipërisë nuk konstaton rreziqe të lidhura me rritjen e shpejtë të kreditimit.
Shtesë tjetër e kapitalit ajo e lidhur me rrezikun sistemik, e cila mund të ketë një përdorim më të gjerë, në varësi të ecurisë së rreziqeve, në strukturën e veprimtarisë bankare në tërësi ose për banka të veçanta.
Shtesa e fundit do të përfshijë vetëm një grup të veçantë bankash, ato me rëndësi sistemike. Banka e Shqipërisë ka përcaktuar katër banka me rëndësi sistemike, që janë njëkohësisht edhe katër bankat më të mëdha në vend, BKT, Raiffeisen, Credins dhe Intesa Sanpaolo. Për secilën prej tyre është përcaktuar një shtesë kapitali në raport me rëndësinë sistemike specifike të secilës. Për bankën më të madhe, BKT, nga viti i ardhshëm shtesa në mjaftueshmërinë e kapitalit do të jetë 2%, ndërsa për tre bankat e tjera rritja është proporcionalisht më e ulët.
Kërkesat për shtesë të kapitalit janë në linjë me masat e marra nga institucionet mbikëqyrëse homologe në Europë pas krizës financiare dhe synojnë të rrisin rezistencën e bankave tregtare kundrejt rreziqeve të mundshme në të ardhmen.
Për sistemin bankar shqiptar, zbatimi i këtyre masave nuk pritet të krijojë probleme të veçanta, sepse raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit është aktualisht mjaft i lartë. Në mesin e këtij viti, ky tregues ishte 18.5%, nga 12% që është niveli minimal i kërkuar. Si mesatare sistemi, niveli aktual është më i lartë se të gjitha shtesat të miratuara për t’u arritur brenda vitit 2024.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.