Rriten mashtrimet financiare – Policia: Në vitin 2017 janë evidentuar në total 1.127 raste
Vepra penale e mashtrimit financiar ka shënuar një rritje prej 9.3% në vitin 2017. Scan ka zbardhur të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, sipas së cilës, në vitin 2017, janë evidentuar në total 1,127 vepra penale të mashtrimit, nga 1031, në vitin 2016.
Sipas Kodit Penal, në këtë vepër përfshihen skemat piramidale, manipulimi I tregut, mashtrimet me sigurimet apo falsifikimi I markave zyrtare. Pjesën më të madhe të veprave penale të këtij grupi e zë mashtrimi me sigurimet, i pasuar nga shkelja e së të drejtës së pronësisë industriale apo falsifikimi i markave.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se rastet e mashtrimit financiar kanë shënuar një rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Vetëm për vitin 2016, prokuroria ka hetuar në total 1350 raste të kësaj vepre penale, me një rritje prej 33% krahasuar me vitin 2015. Rritje ka shënuar edhe numri i personave të dënuar për veprën penale të mashtrimit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.