Rriten pagesat elektronike – Kushta: Bizneset kanë shtuar produktet “online”
Përdorimi i kartave bankare për të kryer pagesa të ndryshme po njeh një trend rritës, së bashku me interesin e qytetarëve për tu pajisur me karta. Në një intervistë për SCAN, Marsela Kushta, përgjegjëse operacionale në Departamentin e Kartave pranë Credins Bank, bën me dije se pagesat elektronike kursejnë kohë për klientët dhe janë të sigurta. Ndërsa thekson se Credins Bank ka sjellë risi në treg në këtë drejtim.
“Të qenit kompetitiv në treg, komoditeti, siguria, shpejtësia por edhe fleksibiliteti që kanë këto forma të pagesave online kundrejt cash-it, i bën ato që të jenë në trend rritje, sidomos gjatë viteve të fundit. Inovacioni më i fundit apo përshtatja me kërkesat e klientëve është edhe karta ‘World Master Card’ e cila përmban përveç teknologjikë ‘contactless’, që është një nga teknologjitë më të reja për kryerjen e pagesave sa më të shpejta, pa pasur nevojë të futjes së kodin PIN në terminalet e pikave të shitjeve, por gjithashtu ofron edhe skemën e besnikërisë ndaj klientëve.”
Nga ana tjetër, vihet re dhe një interes në rritje i bizneseve për të shtuar gamën e produkteve dhe pagesave që mund të kryhen “online”.
“Ajo që kemi vënë re gjatë viteve të fundit, përveçse rritje së kërkesave të përdorimit të kartave bankare, është edhe një rritje e kërkesës nga ana e biznese për ofrimin e pagesave online dhe ofrimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre te klientët,. Këto biznese kanë natyra nga më të ndryshme dhe ky është trendi më i fundit i futur në sistemin bankar shqiptar që është tregtia online ose siç njihet ndryshe, E-Commerce.”
Vitin e kaluar, shqiptarët kryen pagesa me karta bankare në vlerën e 21.3 miliardë lekëve ose rreth 170 milionë eurove. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pagesat me kartë u rritën me 16% gjatë vitit 2018.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.