Rriten rastet e virusit të gripit – Manastirliu: Shërbim 24 orë për urgjencat pediatrike, ja qendrat ku ofrohet
Teksa kurba e qarkullimit të virusit të gripit është në rritje, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se shërbimi do të jetë 24 orë në tre qendra shëndetësore në Tiranë.
Ministrja Ogerta Manastirliu tha se funksionimi i tyre eviton nevojën për të shkuar në spital për urgjencat pediatrike, që mund të trajtohen në qendrat shëndetësore
. “Virusi i gripit, sipas sistemit të survejancës ka një intensitet mesatar, me tendencë rritje, ndaj ne i jemi përgjigjur kësaj situate me garantimin e shërbimit shëndetësor 24 orësh në 7 ditë të javës në qendrat shëndetësore të Tiranës, ku edhe fluksi është më i lartë. Janë 3 qendra shëndetësore, ajo nr. 10 që do të mbulojë zonën e ish-Oxhakut, qendra shëndetësore nr.
8 në zonën e ish-bllokut, qendra nr. 7 në Laprakë, të cilat ofrojnë shërbim shëndetësor për fëmijët në moshën pediatrike edhe gjatë natës”.
Manastirliu i bëri apel prindërve të përdorin qendrat shëndetësore për fëmijët e tyre, pa patur nevojë të drejtohen në QSUT. “Të gjitha shërbimet përkatëse që sot merren në QSUT apo deri dje janë marrë në QSUT do të vijojnë të merren në këto qendra shëndetësore.
Mjekët janë të kualifikuar, kemi marrë masa për furnizimin me barna dhe material mjekësore”. Sipas sistemit ALERT të survejancës, në Shqipëri, sikundër në të gjithë vendet Europiane po qarkullon virusi I tipit A, nëntipi A/H1 dhe qarkullimi i virusit është me intensitet mesatar, me tendencë rritje, një situatë e zakonshme dhe e pritshme për stinën.
Janë rreth 11 mijë raste në javë me infeksione respiratore. Sipas ministrisë së Shëndetësisë kjo situata është normale për stinën.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.