Rriten suficitet e Gjermanisë – Fuqizimi i ekonomisë globale zgjeron eksportet e vendit
Eksportet e Gjermanisë u rritën sipër projeksioneve në Maj, duke tejkaluar rritjen e importeve dhe zgjeruar suficitin tregtar të ekonomisë më të madhe të Europës. Të dhënat e forta mbi tregtinë, të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave, tregojnë se ekonomia gjermane po operon në kapacitet të plotë përpara zgjedhjeve më 24 Shtator, ku kancelarja Angela Merkel kërkon një mandat të katërt.
Të dhënat do të shtojnë kritikat për fuqinë e eksporteve të Gjermanisë, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar i bëri përsëri thirrje vendit që të rrisë investimet, mbështesë rimëkëmbjen ekonomike në vendet e tjera dhe të reduktojë suficitin tregtar. Eksportet të përshtatura në mënyrë sezonale u rritën me 1.4%, duke sjellë muajin e pestë radhazi të rritjes, ndërsa importet u rritën me 1.2%, tregojnë të dhënat e zyrës Federale të Statistikave.
Kërkesa për mallrat gjermane nga vendet jashtë Bashkimit Europian pati rritjen më të madhe, me eksportet e vendeve të treta, që përfshin Kinën, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, që u rritën me 17.3%.
Ekonomistët thonë se përmirësimi i ekonomisë globale sjell ndikim pozitiv te eksportet e Gjermanisë. Ndërsa konsumi privat ka qenë nxitësi kryesor i ekonomisë gjermane në vitet e fundit, eksportet neto po kontribuojnë gjithashtu.
Suficiti tregtar u rrit në 20.3 miliardë euro, nga 19.7 që ishte në muajin Prill. Suficiti i llogarisë korrente i Gjermanisë, që mat fluksin e mallrave, shërbimeve dhe investimeve, u rrit në 17.3 miliardë euro, nga 14.9 miliardë që ishte në Prill. Analistët presin një përshpejtim të ekonomisë gjermane në tremujorin e dytë, pas rritjes me 0.6% në tre muajt e parë të vitit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.