Rriten të ardhurat buxhetore – 2-mujori, 3.5 mld më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2017
Ministria e Financave ka publikuar treguesit fiskalë, për dy muajt e parë të këtij viti, ku rezulton se, të ardhurat e përgjithshme për shkurtin arritën në rreth 67.6 miliardë lekë, me një realizim në masën 99.1 për qind të planit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar rreth 3.5 miliardë lekë më shumë, ose 5.5 për qind.
Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” për periudhën Shkurt 2018, u realizuan në vlerën 59.6 miliard lekë, 3 miliard lekë ose 5.5% më shumë se 2-mujori i vitit 2017. Të ardhurat nga “Akciza” janë realizuar në vlerën 6.1 miliard lekë, 7.1% ose 409 milionë lekë më shumë se 2-mujori i vitit 2017, dhe 2.3% më shumë se plani. Ndikim kryesor ka pasur importi dhe prodhimi vendas i karburanteve që rezultoi me një rritje prej 9,180 ton ose 13.3% më shumë, krahasuar me 2-mujorin e vitit 2017.
Të ardhurat nga “T.V.SH-ja”, janë realizuar në vlerën 21.9 miliard lekë, në rritje 8.2% ose rreth 1.7 miliard lekë më shumë se 2-mujori i vitit 2017. Karburanti i importit mbuloi rreth 99.4% të konsumit, gjatë muajit Shkurt të vitit 2018, krahasuar me 66.4% që ishte ky tregues vitin e kaluar.
Në anën tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e dytë të vitit, arritën në rreth 63.9 miliardë lekë, me një realizim në masën rreth 100.5 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 16.9 për qind më i lartë ose rreth 9.2 miliardë Lekë më shumë. Referuar të dhënave, realizimi i shpenzimeve dhe të ardhurave, është shoqëruar me një suficit buxhetor prej rreth 3.7 miliardë Lekë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.