Rriten vjedhjet? Humbjet joteknike të energjisë u rritën me 5%
Humbjet jo teknike të energjisë u rritën për herë të parë që nga viti 2017. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, humbjet joteknike arritën në 470 Gwh, rreth 5% më shumë krahasuar me vitin 2016.
Si përqindje ndaj totalit të energjisë së konsumuar, humbjet në rrjet ngelen afërsisht në 6.3% të totalit. Instat sqaron se humbjet jo teknike përfshijnë edhe diferencat statistikore që rrjedhin nga mosdeklarimet dhe sfazimi në kohë i matjes së prodhimit me të dhënat e shitjes apo konsumit.
Megjithatë, përgjithësisht humbjet joteknike identifikojnë energjinë që nuk paguhet ose që vidhet. Rritja e këtij treguesi gjatë vitit të kaluar mund të jetë një hap mbrapa në disiplinimin e pagesave në sistemin energjetik.
Ndoshta është rastësi, por rritja e humbjeve joteknike në rrjet erdhi në një vit zgjedhor, periudhë që historikisht është shoqëruar me një dobësim të trysnisë për zbatimin e ligjit në vend.
Në total, humbjet e energjisë në rrjet u ulën sërish gjatë vitit 2017, falë uljes së humbjeve teknike, përfshi ato në rrjetin e shpërndarjes dhe transmetimit. Energjia e humbur zbriti në 25.2% të totalit, nga afro 28% që kishte qenë në vitin 2016.
Ky tregues është në përmirësim të vazhdueshëm nga viti 2013, kur arriti nivelin alarmant prej 42%. Sidoqoftë, ritmi i uljes së humbjeve në rrjet është më i ulët se objektivat e përcaktuara nga qeveria shqiptare në programin e bashkëpunimit Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Synimi ishte që niveli i humbjeve në rrjet të ulej në 14% në vitin 2019, megjithatë, me ecurinë e deritanishme, ky objektiv duket larg. Një nga arsyet është ecuria më e ngadaltë se parashikimet e investimeve në rrjet, çka do të mundësojnë një ulje thelbësore të humbjeve teknike, që aktualisht janë pranë nivelit të 17%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.