Rriten vonesat e avionëve – Aviacioni Civil, apel pasagjerëve: Priten vonesa, kontrolloni fluturimet
Rritja e fluksit të pasagjerëve gjatë muajit qershor është pasuar me rritje të numrit të vonesave dhe anulimeve të fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” . Sipas raportit mujor të Autoritetit të Aviacionit Civil, ajo që bie në sy gjatë këtij muaji, është kompania Adria Airways që regjistron një numër të lartë me anulime të fluturimeve, me 4 të tilla, për t’u pasuar nga kompania tjetër Blue Panorama që regjistron 2 anulime. Për sa i përket vonesave, kompania me numrin më të lartë është Blue Panorama me 11 të tilla e ndjekur nga kompania tjetër Fly Ernest me 5 të tilla dhe Albawings me 3.
Ndërkaq, sipas të njëjtit raport numri i kompensimeve ndaj pasagjerëve të prekur nga vonesat apo anulimet e fluturimeve ka mbetur i njëjtë gjatë qershorit. Sipas Aviacionit Civil, kjo lidhet me mungesën e vonesave gjatë muajve të mëparshëm nga kompanitë ajrore mbi 2 orë, dhe me procedurat që ndiqen në rastet konkrete që zgjasin mbi 3 javë. Sipas legjislacionit në fuqi për çdo vonesë mbi 2 orë, pasagjerët duhet të plotësojnë formularin e ankimimit dhe brenda 3 javësh, duhet të kompensohen me rreth 250 euro. Ndërkaq, Autoriteti i Aviacionit Civil apelon të gjithë personat që kanë parashikuar të udhëtojnë gjatë kësaj periudhe, që të kontrollojnë adresat zyrtare të aeroporteve për t’u njohur me vonesat e mundshme, pasi për shkak të fluksit në gjithë Europën, pritet të ketë probleme dhe vonesa të gjata.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.