Rritet 19% vjedhja e pasurisë – Tetor-dhjetor 2017, 1.432 vjedhje mjetesh, lokalesh e biznesesh
Në tremujorin e katërt 2017 janë evidentuar 1.432 vjedhje të pasurisë, me një rritje 19,1 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Të dhënat vijnë nga raportimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Për veprën vjedhje e pasurisë, në tremujorin e katërt 2017 janë regjistruar 865 autorë, duke shënuar një rritje me 8,7 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2016.
Ndërkaq, në vitin 2017 raportohen në total 3.668 autorë për veprën vjedhje e pasurisë, me një rënie me 16,7 %, krahasuar me 2016.
Në këto grup veprash penale bëjnë pjesë të gjitha ato krime që synojnë përfitimin e pasurisë së tjetrit në mënyrë të padrejtë si vjedhje automjetesh, vjedhje kompanie, lokalesh, e pronash të ndryshme.
Numra në rritje ka shënuar për vitin që sapo u mbyll edhe vepra penale e mashtrimit financiar. Në raport me vitin 2016, kjo vepër penale ka shënuar një rritje me 20% në vitin 2017.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në vitin 2017 janë evidentuar 687 raste të mashtrimit, nga 569 në vitin 2016.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.