Rritet buxheti për ushtrinë – Lu: Mbi 8 miliardë lekë më shumë se vjet, ju lumtë!
Rritja e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes është përshëndetur nga Ambasadori Amerikan Donald Lu. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të 12 mjeteve të blinduara për ushtrinë shqiptare, Lu u shpreh se ndihet krenar që një aleat i NATO-s po investon në Forcat e Armatosura, duke i cilësuar heronj të vërtetë marinarët dhe ushtarakët shqiptarë, që kanë dhënë kontributin e tyre për shpëtimin e qindra jetëve.
“Si aleati juaj i NATO-s, jemi krenarë që shohim Ministren tuaj të re të Mbrojtjes dhe shefin tuaj të ri të Shtabit të Përgjithshëm të investojnë në ndërtimin e së ardhmes të një force të armatosur të fortë shqiptare.”
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e përkufizoi histori suksesi bashkëpunimin e ushtrisë shqiptare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Elementi më i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi, sipas Xhaçkës është trajnimi i burimeve njerëzore.
Ambasadori Donald Lu bëri me dije se janarin e ardhshëm, është parashikuar një vizitë e Ministres Xhaçka në Pentagon në janar, e cila do zgjerojë marrëdhëniet ushtarake mes dy vendeve.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.