Rritet korrupsioni te vendorët – Raporti i PNUD/ Përkeqësohet perceptimi i qytetarëve
Qytetarët mendojnë se korrupsioni në pushtetin vendor është rritur me kalimin e viteve. PNUD dhe partnerët e projekti STAR 2 prezantuan rezultatet e “Vlerësimit të dytë të situatës së qeverisjes vendore në Shqipëri, një studim kombëtar i cili kombinon perceptimet e qytetarëve dhe zyrtarëve të bashkive mbi katër dimensione të Mirëqeverisjes: Efektiviteti & Efikasiteti, Transparenca dhe Sundimi i Ligjit, Llogaridhënia dhe Pjesëmarrja & Angazhimi Qytetar.
Sipas raportit perceptimi i qytetarëve mbi korrupsionin në nivel vendor vlerësohet me 60 nga 100 pikë, duke shënuar një rritje prej 3 pikësh krahasuar me 2016, ku është bërë dhe vlerësimi i parë. Strategjitë vendore, planet dhe mekanizmat për të luftuar korrupsionin në nivel vendor konsiderohen si të pamjaftueshme dhe kërkojnë më tepër vëmendje. Po ashtu, në nivel të pandryshueshëm në 4 vjet ka mbetur llogaridhënia, e cila vlerësohet me 59 pikë. Vlerësimi tregon se krijimi i një sistemi të integruar dhe efektiv për menaxhimin e ankesave mbetet një nga sfidat më të mëdha të qeverisjes vendore.
Pjesëmarrja & Angazhimi Qytetarëve vlerësohet në të njëjtat nivele me vitin 2016, 50 nga 100 pikë, duke përfaqësuar sërish dimensionin më të dobët të qeverisjes vendore. Ndër të katër dimensionet e qeverisjes, bashkitë vlerësohen me përmirësim të lehtë në raport me vitin 2016 në dimensioni e Efektivitetit & Efikasitetit, ndjekur nga Transparenca dhe Sundimi i Ligjit.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.