Rritet me 2 mijë lekë më shumë paga minimale, Klosi: Së shpejti vendimi
Së shpejti Këshilli Kombëtar i Punës do të marrë vendimin për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi. Përfitues direkt do të jenë rreth 200 mijë punonjës të cilët aktualisht paguhen me 22 mijë lekë në muaj dhe që punojnë në industritë prodhuese, përpunuese, fasoneri, turizëm, etj.
Megjithëse si diskutim ka filluar në fund të vitit që kaloi, konfirmimi është bërë nga ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, sipas të cilit është arritur një dakordësi midis sindikatave, qeverisë dhe sipërmarrjeve.
Megjithëse, ministri Klosi nuk e përcaktoi nivelin e rritjes, burime nga kjo Ministri bëjnë me dije se bëhet fjalë për një shtesë prej 2 mijë lekësh, nga 22 në 24 mijë lekë në muaj. Kërkesa është bërë në fund të vitit 2016 nga Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, e cila pas një studimi të bërë, propozoi rritje në masën 30-50 për qind të pagës minimale sipas profesioneve.
Elisabeta Dosku/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.