Rritet ndihma ekonomike – Nga 1 Janari 2022, familjet në nevojë përfitojnë më shumë para’
Duke filluar nga data 1 Janar 2022, ndihma ekonomike për disa kategori përfituese është rritur, deri në trefishim. Kështu, sipas vendimit të qeverisë të botuar në Fletoren Zyrtare, masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit rritet nga 3 mijë lekë në muaj në 9 mijë lekë në muaj. Ndihma përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në punësimine tyre. Po ashtu, në 9 mijë lekë shkon edhe ndihma për çdo viktimë të dhunës në marrëdhëniet familjare që nuk trajtohet nga institucionet e përkujdesit, por ka një urdhër mbrojtjeje nga gjykata.
Ndihma jepet përgjatë gjithë kohëzgjatjes së urdhrit. Ndërkaq, trefishohet edhe ndihma për jetimët, të cilët do të marrin 9 mijë lekë në muaj. Këtë masë e përfitojnë jetimët që nuk janë në instititucione, deri në punësimin e tyre. Po ashtu, qeveria ka vendosur që familjet përfituese në programin e ndihmës ekonomike, që kanë në përbërje tre apo më shumë fëmijë të moshës 0–18 vjeç, përfitojnë dyfishin e masës së pagesës ekzistuese të ndihmës ekonomike, sipas strukturës së familjes. Ndërsa për familjet e tjera masa e pagesës ekzistuese, rritet me 10 % sipas strukturës së familjes. Masa e ndihmës ekonomike, përllogaritet nga Shërbimi Social Shtetëror, bazuar në masën e pagesës ekzistuese sipas strukturës së familjes.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.