Rritet prodhimi bujqësor në 2017 – Kryesojnë perimet. Rriten fort edhe bimët medicinale
Prodhimi bujqësor ka shënuar një rritje të konsiderueshme në disa kultura gjatë vitit të kaluar. Listën e kryesojnë perimet, ku prodhimi i tyre u regjistrua në 1 151 928 ton në 2017, duke shënuar një rritje me 2.2% krahasuar me vitin 2016.
Referuar të dhënave të INSTAT, qarku i Fierit kryeson edhe listën me nivelin më të lartë të prodhimit të perimeve me 405 928 ton, ndjekur nga qarku i Tiranës me 124 148 ton dhe ai i Beratit me 121 433 ton.
Në rritje me 0.48% krahasuar me 2016-ën është evidentuar edhe prodhimi i drithërave, i cili në 2017 numëron 701 732 ton. Sa i takon qarqeve me prodhimin më të lartë të kësaj kulture bujqësore, ashtu si në prodhimin e perimeve, në vend të parë renditet qarku i Fierit me 182 999 ton, pasuar nga qarku i Elbasanit dhe Korçës, respektivisht me 99 401 ton dhe 82 396 ton.
Patatja është po ashtu një tjetër kulturë bujqësore e cila shënoi një rritje të prodhimit përgjatë vitit 2017. Kështu, gjatë kësaj periudhë në vendin tonë u prodhuan 249 804 ton patate, 4.81% më shumë se në vitin 2016, ku Korça rezulton edhe qarku që ka prodhuar më shumë patate, konkretisht 60 864 ton.
Ndërkohë, Fieri dhe Dibra janë edhe dy qarqet e tjera të cilat kanë prodhuar më shumë patate pas qarkut të Korçës, respektivisht 46.147 ton dhe 23 977 ton.
Bimët mjekësore, që kryesojnë edhe listën si produkti më i kërkuar nga tregjet e huaja për 3-mujorin e parë të vitit 2018, ka shënuar një rritje të prodhimit vitin e kaluar. Kështu, në 2017 janë prodhuar 12 mijë ton bimë medicinale, nga 10.6 mijë ton që ishte në vitin 2016.
Sa i takon drufrutorëve, ulliri dhe gjatë vitit të kaluar prodhimi i ullirit ka parë një rritje të madhe me 8.9% krahasuar me një vit më parë, ku sasi më e madhe e prodhimit është evidentuar në qarkun e Beratit, 32 410 ton. Agrumet po ashtu kanë regjistruar një nivel të lartë prodhimi në 41 033 ton në 2017, duke shënuar një rritje me 3.2%.
Ndërkohë, fasulet dhe bimët industriale janë edhe dy nga kulturat bujqësore të cilat kanë shënuar rënie të konsiderueshme të sasisë së prodhimit përgjatë vitit të kaluar.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.