Rritet prodhimi i energjisë – 4-mujori/ 55.5% u prodhua nga KESH, ulen humbjet në rrjetin e shpërndarjes
4,343,003 Mwh energji u prodhua gjatë 4-mujorit të parë të vitit nga të gjithë burimet gjerneruese në vend, duke shënuar një rritje të konsiderueshme në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, ku u prodhuan 1,949,672 Mwh energji. Të dhënat raportohen nga Enti Rregullator i Energjisë, ku ndër të tjera bëhet me dije se konsumi i energjisë për periudhën janar-prill arriti në 3,006,500 Mwh energji, duke shënuar një bilanc pozitiv.
Prodhimi, i favorizuar nga situate hidrike u dominua nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare me 55.5% të energjisë totale të prodhuar, ndërkohë që 44.5% u gjenerua nga Hec-et private dhe koncesionare. Një përqindje të vogël në këtë sasi të prodhuar zë edhe energjia nga impiantet fotovolatike të lidhur me sistemin e shpërndarjes, të cilët për 4-mujorin gjeneruan 11,709 MWH energji. Kjo pasi ka pësuar një rritje në raport me të njëjtën periudhë të një vitit më parë ku u prodhua 8,962 Mwh energji.
Ndërkaq, arkëtimet nga Operatorit i Shpërndarjes së energjisë Elektrike rezultojnë në 92%, thuajse në të njëjtët nivele si e njëjta periudhë e një viti më parë, ku për shkak të situatë së krijuar nga COVID-19, për këtë periudhë u pagua 91.2% e faturave të gjeneruara. Sa i takon nivelit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, për 4-mujorin arritën në nivelin e 23.9%, duke shënuar një rritje në raport me periudhën janar-prill 2020, ku humbjet përbënin 24.34% të energjisë së shpërndarë në rrjet.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.