Rritet punësimi në SHBA – 209 mijë persona gjatë Korrikut, shqetëson rritja anemike e pagave
Departamenti i punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportoi së fundmi një rritje të punësimit në vend me 209 mijë persona për muajin Korrik.
Edhe shifra e Qershorit u rishikua në territor pozitiv, në 231 mijë persona, nga 222 mijë që vlerësohej paraprakisht.
Fitimet mesatare për orë pune u rritën me 0.3% gjatë korrikut, pas një rritje me 0.2% gjatë muajit Qershor. Kjo është edhe rritja më e madhe në 5 muaj. Në terma vjetorë ndërkohë, pagat rezultojnë 2.5% më të larta për të katërtin muaj me radhë.
Ekspertët shprehen se, pavarësisht se tregu është pranë punësimit të plotë, rritja e pagave nuk ka qenë mjaftueshëm e fortë, pjesërisht sepse shumë vende pune janë krijuar në industritë që karakterizohen nga paga të ulta.
Gjatë Korrikut, sektori i bareve dhe restoranteve krijoi 53.100 vende pune. Gjithsesi, të dhënat e fundit rrisin pritshmëritë mes politikbërësve të Rezervës Federale, se, inflacioni do ti afrohet objektivit prej 2% gjatë muajve në vijim në mënyrë graduale.
Pas publikimit të këtyre të dhënave, dollari amerikan shënoi performancën më të mirë të vitit kundër shportës së valutave kryesore.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.