Rritja e çmimeve – 2.1% sipas indeksit të harmonizuar
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit për shkurtin me 2.1%. Ky indeks, që synon të japë ecurinë krahasuese të çmimeve me vendet e Bashkimit Europian, për këtë vit duket se është në nivele ndjeshëm më të larta në raport me indeksin e brendshëm të çmimeve të konsumit. Për shkurtin, norma zyrtare e inflacionit në Shqipëri rezultoi sërish në rënie dhe arriti në 1.7%.
Nga ana tjetër, indeksi i çmimeve të harmonizuara po regjistron rritje më të lartë, megjithëse në rënie krahasuar me janarin. Sipas Instat, rritja e çmimeve ka ardhur kryesisht nga ushqimet dhe shërbimet e hotlerisë, restoranteve dhe kafeneve. Grupi i ushqimeve historikisht ka qenë kontribuesi kryesor në rritjen e indeksit të harmonizuar të çmimeve. Për shkurtin, ai kontribuoi me 1.76 pikë përqindje në rritjen totale. Ndërkohë, një ndikim në rritje këtë vit po jep sektori i hotelerisë, bareve dhe restoranteve, me 0.33 pikë përqindje. Rritja e çmimeve në këtë grupi mund t’i atribuohet shtrenjtimit të shërbimeve hotelerie, ku kërkesa në vitet e fundit paraqitet në rritje të ndjeshme, për shkak të fluksit në rritje të turistëve të huaj.
Burimi: Instat
Aktualisht, rritja e çmimeve sipas indeksit të harmonizuar në Shqipëri është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, që për shkurtin ishte 1.6%. Mbështetur në metodologjinë e përdorur nga Instat, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit përfshin shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve, ndërsa indeksi i çmimeve të konsumit mbulon vetëm shpenzimet private të familjeve shqiptare të kryera brenda dhe jashtë vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.