Rritja e taksave – “I prish gjumin” drejtuesve të bizneseve shqiptare
Rritja e taksave është shqetësimi kryesorë për drejtuesit e bizneseve në Shqipëri. Sipas anketimit të kryer nga kompania e shërbimeve financiare Pricewaterhouse Coopers, 85% e menaxherëve shqiptarë e shohin këtë si kërcënimin kryesor për perspektivën e rritjes së biznesit të tyre.
Nuk është hera e parë që rritja e taksave rezulton në krye të listës së problemeve, në anketimet me investitorët vendas dhe të huaj. Ndoshta edhe për shkak të mungesës së një kulture historike taksimi dhe një periudhe të gjatë të karakterizuar nga informaliteti i lartë, sipërmarrjet shqiptare janë shumë të ndjeshme sa herë që duhet t’i paguajnë më shumë shtetit.
Po të shohim rezultatet e anketimit të PricewaterhouseCoopers në nivel global, shqetësimi kryesor i menaxherëve të bizneseve në Botë është pasiguria gjeopolitike, e ndjekur nga mbirregullimi dhe nga kërcënimet kibernetike. Ndërsa drejtuesit shqiptarë janë më pak të shqetësuar nga zhvillimet e mëdha globale dhe më shumë për çështjet e brendshme, siç është rritja e ngarkesës fiskale në vitet e fundit.
Megjithatë, edhe ata janë të ndjeshëm ndaj çështjeve si e ardhmja e Eurozonës. Ky renditet i dyti mes kërcënimeve potenciale për rritjen e biznesit të tyre. Për shkak të lidhjeve të ngushta ekonomike dhe tregtare, menaxherët shqiptarë janë mjaft të vetëdijshëm për varësinë e ekonomisë shqiptare nga Eurozona.
Në të njëjtin nivel me të ardhmen e Eurozonës, shqetësim serioz nga 82% e të anketuarve perceptohet edhe infrastruktura e pamjaftueshme bazë.
Prej më shumë se 20 vitesh PricewaterhouseCoopers zhvillon një anketim global me lideret e kompanive, ku ata japin opinionin e tyre në lidhje me klimën e biznesit, arritjet e vitit dhe sfidat operacionale në afatin e shkurtër dhe të mesëm. Këtë vit për herë të parë ky anketim përfshiu dhe 34 drejtues të kompanive të rëndësishme në Shqipëri.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.