Rritja ekonomike 3.84%, Ahmetaj: Nga 1 janari 2019, pragu tatimfitimit bëhet 14 mln lekë
“Bizneset nga 8 deri në 14 milionë lekë do të kenë tatim fitimi 5 për qind, për shkak të rritjes së pragut të tatim fitimit dhe TVSH-së, nga 8 në 14 milionë lekë”, tha ministri i Financave gjatë takimit me gazetarët.
“Kjo pritet që të hyjë ën fuqi maksimumi në 1 janar të vitit të ardhshëm, dhe pritet që të përfitojnë mbi 10 mijë biznese”.
Duke u ndalur te rritja ekonomike, Ahmetaj tha se rritja ekonomike ka arritur 3.84 për qind, më e madhja në 10 vjet. Ministri tha se në këtë rritje kanë ndikuar investimet e huaja dhe të brendshme, si dhe përmirësimi i klimës së të bërit biznes në vend. Ahmetaj tha se papunësia është në nivelet më të ulta në rajon.
“Numri i të punësuarve ka arritur në 560 mijë, me rreth 240 mijë të punësuar më shumë se në 2013. Ka akoma hapësira punësimi, sipas të dhënave të Shërbimit Kombëtar të punësimit. Indeksi i afarizmit shënoi një rritje prej 4.7 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2017. Eksportet kanë vijuar rritjen, me 18 për qind për tremujorin e parë të 2018. Gjithashtu rritje kanë edhe të ardhurat tatimore. Për periudhën janar – prill 2018 janë rritur me 4.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.
Kursi i këmbimit ka dëmtuar të ardhurat në dogana me 1.3 miliard lekë, por shpresojmë ta kompensojmë me efektivitet në administrim, deklaroi ministri gjatë takimit me gazetarët.
“Kursi i këmbimit është ndër më të qëndrueshmit në rajon. Ai reflekton faktorët fondametalë, si përditësimi i bilancit të pagesave, akomodimi i politikave dhe investimeve të larta të huaja. Qebveria nuk bën ndërhyrje në kursin e këmbimit dhe do ishte e gabuar të bëheshin ndërhyrjet”.
Sa i përket bizneseve të reja Ahmetaj tha se janë shtuar rreth 5 mijë biznese neto në katër muajt e parë të vitit 2018.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.