Rritja ekonomike, 3.94% – Shtysë nga ndërtimi dhe shpenzimet e rritura publike
Ekonomia shqiptare u rrit me 3.94% në tremujorin e parë të vitit. Instituti i Statistikave publikoi statistikat e Prodhimit të Brendshëm Bruto, që treguan një rritje relativisht të lartë, në nivele pothuajse të njëjta me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Shtylla kryesore e rritjes edhe për këtë tremujor ishte ndërtimi, i mbështetur nga projektet e mëdha të investimeve në infrastrukturë dhe nga ritmi më i lartë i investimeve publike.
Megjithatë, kontribut të konsiderueshëm në rritje dhanë edhe tregtia, industria dhe aktivitetet e sektorit publik.
“Produkti i Brendshëm Bruto për tremujorin e parë të vitit 2017, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016, është rritur me 3,94%. Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2016, ekonomia vlerësohet me rritje prej 0,74%.
Kontributin kryesor në rritjen vjetore e dhanë degët: ‘ndërtimi’ me 1 pikë përqindje; ‘tregti, hotele, restorante dhe transporti’ me 0,51 pikë përqindje; ‘administrata publike, arsimi dhe shëndetësia’ me 0,51 pikë përqindje; ‘industria, energjia dhe uji’ me 0,5 pikë përqindje, ‘aktivitetet financiare dhe të sigurimit’ me 0,37 pikë përqindje; ‘bujqësia, pyjet dhe peshkimi’ me 0,27 pikë përqindje; ‘aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative’ me 0,27 pikë përqindje”, tha Delina Ibrahimaj, drejtoresha e përgjithshme e INSTAT.
Ndër komponentët e kërkesës, një kontribut të lartë në rritje edhe në tremujorin e parë dhanë investimet, me një rritje vjetore 10.88%, si edhe eksportet e mallrave e shërbimeve, me 12.36%.
Sidoqoftë, as këtë vit zgjedhjet nuk munguan të japin një ndikim në rritjen ekonomike, po të kemi parasysh se konsumi final i administratës publike u rrit me 7.78% kundrejt vitit të kaluar.
“Sipas metodës së shpenzimeve, kontributin kryesor në rritjen ekonomike e ka dhënë kërkesa e brendshme, e cila është rritur me 4,07%. Komponentët kryesorë të PBB për tremujorin e parë të 2017-ës, krahasuar me tremujorin e parë të 2016-ës, shfaqen si më poshtë:
- Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve të ekonomisë shqiptare, u rrit me 1,94%.
- Konsumi final i qeverisë u rrit me 7,78%.
- Komponenti i formimit bruto të kapitalit fiks, i cili përafron investimet, u rrit me 10,88%.
- Eksportet e mallrave dhe të shërbimeve, për T1 të vitit 2017, u rritën me 12,36%”, shtoi Ibrahimaj.
Projeksionet zyrtare e vendosin rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit pranë nivelit 3.8%. Për tremujorin e parë, rritja ishte edhe më e lartë, megjithatë besohet se, të paktën pjesërisht, ajo është fryrë nga shpenzimet zgjedhore, faktor që pritet të jetë i pranishëm edhe për tremujorin e dytë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.