Rritja ekonomike, BB: Rajoni në përmirësim, Shqipëria në rënie
Në një rajon ku rritja ekonomike është në përmirësim, Shqipëria pritet të bëjë përjashtim. Sipas raportit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, rritja ekonomik e Shqipërisë për vitin e ardhshëm do të bjerë në 3.6%, ndërsa për vitin 2019 rritja do të jetë 3.5%.
Shqipëria dhe Mali i Zi janë të vetmet vende ku rritja pritet të jetë më e dobët, në kah të kundërt me tendencën rajonale, ku rritja ekonomike do të përmirësohet gradualisht, me nivelet më të larta në Kosovë dhe Maqedoni.
Faktori përcaktues në këtë projeksion është zbehja e efektit të gazsjellësit TAP në ekonomi.
Sipas Bankës Botërore, perspektiva e rritjes ekonomike në të ardhmen do të varet nga stabiliteti makroekonomik, përmirësimet në klimën e biznesit për të rritur efikasitetin e gjykatave, aftësitë e forcës së punës dhe reforma në sektorin energjetik.
Raporti vëren se në Shqipëri huadhënia ka mbështetur rritjen ekonomike, kryesisht falë kreditimit më të lartë të individëve, karakteristikë kjo e përbashkët me vendet e tjera të rajonit.
Sipas Bankës Botërore, bankat janë të mirëkapitalizuara dhe likuide, ndërsa cilësia e portofolit të kredisë është përmirësuar, duke krijuar kushte për një rritje më të lartë të kreditimit gjatë viteve të ardhshme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.