Rritja ekonomike – BSH e rrit potencialin aktual në 3.5%
Banka e Shqipërisë ka rivlerësuar për lart potencialin e rritjes së ekonomisë shqiptare. Sipas analizave të departamentit të politikës monetare në Bankën Qendrore, ky potencial tashmë vlerësohet në 3.5%, nga 3.2% që ishte kufiri i mëparshëm.
Potenciali më i lartë i rritjes ekonomike lidhet sidomos me akumulimin e kapitalit të ri fizik në vitet e fundit. Siç dihet, që nga viti 2014 e në vazhdim, rritja e ekonomisë shqiptare është mbështetur kryesisht në zgjerimin e investimeve. Rolin kryesor e kanë pasur disa projekte madhore të investimeve të huaja, që kanë sjellë një formim në rritje të kapitalit fiks për disa vite me radhë. Ky është faktori kryesor që ka sjellë një rishikim të potencialeve të rritjes së ekonomisë shqiptare.
Vlerësimi i ri për rritjen potenciale ka sjellë edhe një ndryshim në projeksionet për rritjen ekonomike dhe kthimin e inflacionit më objektiv. Një potencial rritjeje më i lartë do të bëjë që ekonomisë t’i duhet më shumë kohë për të arritur këtë rritje potenciale. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo pritet të ndodhë në vitin 2019.
Ekonomia shqiptare pritet të rritet me rreth 4% këtë vit, rritje kjo më e lartë se potenciali aktual. Kjo vjen për shkak se rritja e viteve të mëparshme ka qenë ndjeshëm më e ulët se kapacitetet e ekonomisë, ndaj për të arritur rritjen potenciale, rritja reale pritet që në dy vitet e ardhshme të jetë më e lartë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.