Rritja ekonomike e…Tiranës – Në gjysmën e vendit PBB-ja pësoi rënie
Të dhënat e Instat tregojnë një pabarazi gjithnjë e më të lartë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2017 u përqendrua në masën dërrmuese në Tiranë, ndërsa pothuajse gjysma e qarqeve të vendit pësuan rënie të prodhimit. Nga 3.82% që ishte rritja ekonomike mesatare, 3.42 pikë përqindje erdhën nga qarku i Tiranës, ndërsa Durrësi kontribuoi me 0.4 pikë. Pjesa tjetër e vendit dha një kontribut shumë të ulët ose negativ në ritmet e rritjes.
Viti 2017 ishte i zymtë sidomos për Jugun e Shqipërisë, që pësoi rënie të Prodhimit Bruto me afro 0.2 pikë përqindje. Kjo u ndikua sidomos nga tkurrja e ndjeshme në qarkun e Vlorës, me 3.26% dhe në atë të Korçës, me 2.22%. Ekonomia pësoi rënie edhe për shumicën e qarqeve të Veriut, ku Lezha ra me 0.77%, Shkodra me 0.46% dhe Kukësi me 0.29%.
Nëse ekonomia u rrit me më pak se 4%, tkurrja e mëtejshme e popullsisë ka bërë që Prodhimi Bruto për frymë të rritet me afro 5.5% dhe arriti në 540 mijë lekë për vitin 2017. Por, pabarazia është e ndjeshme po të shohim edhe prodhimin e Brendshëm për frymë sipas qarqeve të vendit.
Qarku më i pasur ngelet Tirana, me 747 mijë lekë në vit, i ndjekur nga Fieri me 566 mijë lekë. Përveç tyre, i vetmi qark ku PBB-ja për frymë është sipër mesatares kombëtare është Gjirokastra. Qarku më i varfër edhe për vitin 2017 ishte Kukësi, me vetëm 327 mijë lekë në vit ose më pak se gjysma e Tiranës.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.