Rritja ekonomike rishikohet në ulje – Buxheti afatmesëm/ 2021-shi mbyllet me 5.5%, trend rënës në 3 vitet në vijim
Qeveria ka rishikuar me ulje rritjen ekonomike gjatë këtij viti, duke e fiksuar në 5.5 për qind, ndryshe nga parashikimet e bëra vetëm 1 muaj më parë të zbardhura në projektbuxhetin 2022, ku thuhej se 2021 do të mbyllej me rritje 7.6 për qind, të PBB si dhe larg projeksioneve të institucioneve ndërkombëtare gjithashtu. Ndërkohë, perfomanca e ekonomisë projektohet në rënie në tre vitet e ardhshme.
Qeveria ka miratuar buxhetin afatmesëm 2022-2024, ku parashikohet që pas rimëkëmbjes së këtij viti nga tërmeti dhe pandemia COVID 19, vitet e ardhshme pritet që rritja të jetë në rreth 4 përqind. Specifikisht në vitin 2022 rritja ekonomike do të jetë 4.8 për qind, në vitin 2023 4.5 për qind dhe në 2024 3.8 për qind. Referuar dokumentit të botuar në Fletoren Zyrtare, rritja Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë periudhës afatmesme pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet.
Konsumi privat pritet të nxitet kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës. Këto të fundit priten të transmetohen në një rritje graduale të pagave të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, Ndërsa rritja graduale e investimeve pritet të nxitet nga një shfrytëzim më i intensifikuar i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit, si dhe nga përshpejtimi i aktivitetit ekonomik gjatë periudhës së parashikuar dhe perceptimi i përmirësuar i biznesit mbi perspektivën ekonomike afatmesme e afatgjatë.
Specifikisht, konsumi final total për periudhën afatmesme (2022 – 2024) parashikohet të rritet në terma real me mesatarisht rreth 3 përqind në vit, ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma real mesatarisht ne rreth 6.4 përqind në vitet 2022-2024, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.5 pikë përqindje në vit.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.