Rritje e madhe e infeksioneve në Gjermani. Merkel kërkon mbylljen e bareve dhe restoranteve nga 4 Nëntori
Kancelarja gjermane Angela Merkel, kërkon dakordësi për të mbyllur restorantet dhe baret nga data 4 Nëntor, në përpjekje për të frenuar koronavirusin, por të mbahen shkollat dhe qendrat e kujdesit, të hapura. Nën masat e reja, njerëzit do të mund të dalin në publik vetëm me anëtarë të familjes dhe të një familje tjetër, sipas rezolutës. Ata që thyejnë rregullat do të gjobiten, pavarësisht se nuk kishte detaje të tjera.
Sipas rezolutës, rritja eksponenciale e infeksioneve në thuajse të gjithë rajonet e Gjermanisë, nënkupton se autoritetet lokale nuk mund të gjurmojnë të gjithë infeksionet, e për rrjedhojë, është e nevojshme të reduktohet kontakti mes njerëzve. Nëse rastet e reja mbahen nën kontroll këto kohë, nuk do të kërkohen masa të ashpra gjatë Krishtlindjeve. Nëse liderët e 16 shteteve të Gjermanisë bien dakord në një telefonatë më vonë gjatë javës, palestrat, diskotekat, kinematë, operat dhe koncertet do të mbyllen.
Dyqanet do të lejohen, vetëm nëse zbatojnë masa të higjenës dhe limitojnë numrin e klientëve, ndërsa restorantet do të lejohen vetëm me porosi. Gjermania, është lavdëruar gjerësisht për mbajtjen e normës së infeksionit poshtë homologëve europianë në fazën fillestare. Tashmë, vendi përballet me një rritje të shpejtë të rasteve të reja, me 11,409 në 24 orët e fundit. Qeveria ka shmangur deri më tani një karantinë të dytë kombëtare. Megjithatë, Merkel paralajmëroi se sistemi i shëndetësisë në Gjermani mund të arrijë në kapacitet të plotë dhe ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier, tha se Gjermania me shumë gjasa do të arrijë 20,000 infeksione të reja në ditë, në fund të javës.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.