Rritje modeste e energjisë diellore – Në 8 muaj, impiantet fotovoltaike prodhuan 0.63% të energjisë totale
Të dhënat për prodhimin e energjisë nga dielli mbeten modeste, në raport me energjinë e prodhuar nga burimet ujore, teksa për 8-mujorin sasia e prodhuar nga impinatet fotovoltaike arriti në 0.63% të totalit. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, prej muajit mars të këtij viti numri i impanteve që prodhojnë energji nga dielli ka arritur në 8, çka ka sjellë edhe një rritje të prodhimit të energjisë nga ky burim, ndonëse nuk përbëjnë të dhëna domethënë në drejtim të shfrytëzimit të energjisë diellore.
Shifrat e 8-mujorit tregojnë se në total nga centralet diellore u sigurua 23 471 mëh energji, me një tendencë në rritje nga muaji në muaj. Megjithatë, ndonëse kjo sasi është tejet e ulët në raport me atë të prodhuar nga hidrecentralet, ajo merr një rëndësi të veçantë në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Kjo pasi, vendi ynë është i varur nga energjia e prodhuar nga uji, çka në periudha thatësiras pasohet me fatura teje të kripura të importit të energjisë për plotësimin e nevojave konsumatore.
Kështu, vetëm gjatë 5 muajve të fundit Operator ii Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka shpenzuar mbi 27 mln euro për blerjen e energjisë. Aktualisht, kapaciteti total i impanteve diellore të instaluar arrin në rreth 17 Më, ndërkohë që ajo që pritet të sjellë një impakt të madh në këtë drejtim është pikërisht ndërtimi i parkut fotovoltaik të Karavastasë, me një fuqi të instaluar prej 140 MW.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.