Rrjet dyqanesh me prodhime shqiptare – Më 21 Shkurt mbyllet konkursi për përzgjedhjen e brandit
Një sërë dyqanesh që prodhojnë produkte tipike shqiptare do të kenë një markë të vetme, duke krijuar kështu një rrjet që të jetë i njohur jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij.
Ministria e Bujqësisë prej ditësh ka hapur konkursin për përzgjedhjen e brand-it të rrjetit më të ri të dyqaneve me prodhime shqiptare, ku synohet brand-i sa më dinjitoz, i cili përfshin logon, emrin, sloganin, dizajnin, pamjen vizuale në 3D si dhe arredimin e dyqaneve me prodhime shqiptare.
Në këtë mënyrë i kushtohet rëndësi ushqimit tradicional dhe produkteve ushqimore autoktone, të cilat janë elemente kryesore në tërheqjen e turisteve të huaj ose vendas.
Është parashikuar që ky rrjet dyqanesh, për të promovuar sa më mirë produktet shqiptare duhet të përmbushë këto kritere: Produktet e tregtuara do të jenë 100 % tipike shqiptare, me origjinë nga territori dhe trevat e Shqipërisë; Dyqani duhet të paraqesë produktet më të mira të prodhuesve shqiptarë, me standardet maksimale që nga cilësia deri tek paketimi dhe marketimi i produktit ;Vendndodhja e dyqaneve duhet të jetë në një zonë qendrore dhe të aksesueshme nga turistët vendas dhe të huaj; Ambientet e brendshme dhe të jashtme të dyqanit duhen dizenjuar duke respektuar rreptësishtë elementet tradicionalë kombëtarë në përputhje me ata modernë të kohës.
Konkursi për përzgjedhjen e brand-it për të gjithë të interesuarit, mbyllet më datën 21 Shkurt 2017.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.