Rrjet i ri ujësjellësi, Veliaj: Çdo qindarkë, kthehet në investime
Rreth 300 mijë banorë që jetojnë në një nga zonat qendrore të kryeqytetit nuk do të kenë më probleme furnizimi me ujë të pijshëm.
Pas zëvendësimit të linjës kryesore të ujësjellësit në zonën e pedonales, pranë Parlamentit deri te rruga “Todi Shkurti”, Bashkia e Tiranës ka nisur pjesën e dytë të investimit për zëvendësimin e linjës kryesore që lidh këtë rrjet me tubacionin kryesor që kalon në rrugët “Ali Visha” dhe “Mihal Grameno”.
“Është një nga linjat kryesore që furnizon me ujë gjithë Tiranën. Është një investim i cili bëhet për të zëvendësuar tubacione që Tirana i ka pasur që nga viti 1958, kur këtu jetonin më pak se 100 mijë banorë, ndërkohë që sot ka 10-fishin e popullsisë. Kuptohet lehtë se këto tubacionet nuk ia dalin të furnizojnë Tiranën me 24 orë ujë të pijshëm, le pastaj të ofrojë shërbime”, tha Veliaj.
Me afrimin e sezonit veror, Veliaj u bëri apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e ujit të pijshëm dhe të mos e shpërdorojnë atë.
“Është një skenë e denjë për një dokumentar të vendeve më të pazhvilluara dalja me zorrë për të lagur rrugët me ujë të pijshëm. Kjo është anormale e nuk duhet të ndodhë më! Sigurisht që do të reagojmë me gjoba dhe disiplinimin e nevojshëm që uji i pijshëm, që mezi e sjellim në Tiranë, të mos shpërdorohet as nga lavazhi, as nga freskimi i rrugës”, tha Veliaj.
Tubacionet e linjës po ndërtohen sipas të gjitha standardeve, në mënyrë që të sigurohet jo thjesht një jetëgjatësi e sistemit, por edhe një rritje e konsiderueshme e furnizimit me ujë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.