Rrjeti 5G, Bullgaria, Greqia dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen eksperimentale – Do të testojnë automjetet pa shofer
Ministrat e transportit të Bullgarisë, Greqisë dhe Serbisë kanë nënshkruar një marrëveshje në Asamblenë Dixhitale 2018 të zhvilluar në Sofje për të zhvilluar një eksperiment të rrjetit 5G që do të testojë automjetet pa shofer.
Ata ranë dakord të punojnë së bashku në korridorin Selanik-Sofje-Beograd, i cili do të ofrojë një qendër teknologjike neutrale për industrinë, qendrat kërkimore, akademinë dhe çdo palë të interesuar për testimin dhe vlerësimin e teknologjive. Ministri bullgar i Transportit, Ivaylo Moskovski deklaroi se Bullgaria është duke përgatitur infrastrukturën e saj për rrjetin 5G.
Ndërkohë, Komisionerja Europiane për Ekonominë dhe Shoqërinë Dixhitale, Marija Gabriel tha se “kemi rënë dakord që transformimi digjital ka sfidat e tij, siç janë sulmet kibernetike dhe informacionet online dhe dezinformimi dhe njerëzit duhet të kenë besim dhe të jenë në gjendje të përfitojnë nga ky dixhitalizim”.
Komisioni Europian deklaroi se ky rrjet bashkëpunues midis vendeve europiane do të mundësojë një mjedis më të mirë për testimin dhe vendosjen e teknologjisë 5G dhe do të lejojë që testet të kryhen në autostrada me automjete pa shofer.
Javën e kaluar u lançua Agjenda Dixhitale për Ballkanin Perëndimor, e cila synon të mbështesë tranzicionin e rajonit në një ekonomi dixhitale, ku Bashkimi Europian vuri në dispozicion edhe një grant prej 30 mln euro për vendosjen e rrjetit broadband dhe rritjen e investimeve strategjike në rajon.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.