Rrjeti me produkte tradicionale, hapen aplikimet për bizneset që duan të hapin dyqane
Pas shpalljes së koncept-idesë “EDUA”, si fituese të konkursit për krijimin e rrjeteve të dyqaneve me produkte tipike tradicionale, tashmë bizneset mund të aplikojnë për të fituar të drejtën e përdorimit të markës.
Agjencia për Zhvillim Ekonomik Rajonal ,si zotëruese e kësaj marke fton të gjitha subjektet ekonomikë të cilët duan të krijojnë ose të përshtatin një dyqan ekzistues me standardet e paracaktuara të markës “edua”.
Krahas përdorimit të logos, dyqani duhet të përdorë si lëndë ndërtuese dhe arreduese materiale të riciklueshme, dru, kashtë, hekur, gur, etj. duke respektuar rreptësisht elementët e modelit në foton e mësipërme.
Subjekti do të kushtëzohet gjithashtu në tregtimin e produkteve vetëm me origjinë nga vendi dhe trevat e tjera shqiptare. Të paktën 50% e produkteve të treguara duhet të jenë nga lista e produkteve të miratuara, ndërsa pjesa tjetër mund të jenë produkte të tjera të prodhuara në vend, apo produkte artizanale.
Të interesuarit mund të aplikojnë brenda datës 28 Mars edhe për financim nga skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi, për të fituar një grant deri në 50% të vlerës së investimit, deri në 2 milionë lekë, për ngritjen e këtyre dyqaneve.
Ngritja e këtij rrjeti dyqanesh synon të mbështesë dhe promovojë fermerët, artizantë dhe prodhuesit e tjerë shqiptarë.
Për të lexuar më tepër mbi mënyrën e aplikimit, mund të klikoni këtu për të vizituar faqen e AZHER.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.