Rruga e Arbrit – Qeveria miraton kontratën 240 milionë euro me koncesionarin
Qeveria ka miratuar kontratën për ndërtimin e rrugës së Arbrit, duke i hapur rrugën përfundimit të një prej veprave më të rëndësishme infrastrukturore në vend. Miratimi erdhi pas firmosjes në muajin shkurt mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanisë Gjoka, e cila është firma fituese që do të zbatojë projektin. Në total vepra do të kushtojë 240 milion euro, ndërkohë që shteti ka marrë përsipër likuidimin e kontraktorit brenda një periudhe 13-vjeçare.
Kjo është kontrata e parë e firmosur, në bazë të projektit “1 miliard’, ndërkohë që, kontraktori ka marrë përsipër që fillimisht të ndërtojë rrugën me shpenzimet e tij si dhe mirëmbajtjen gjatë gjitëh periudhës së koncesionit. Rruga e Arbrit ka një gjurmë të drejtpërdrejtë Tiranë- Dibër, duke kaluar nga Qafë- Murriza, Guri i Bardhë, Ura e Vashës në Bulqizë dhe Dibër.
Sipas projektit nga Tiranë në Bulqizë ajo do të ketë një gjatësi prej 50 km dhe nga Tirana në Bllatë 74 km. Në këtë segment rrugor parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1500 m, si dhe ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2600 dhe 560 m. Afati përfundimtar i ndërtimit të veprave të artit do të jetë 44 muaj dhe afati kohor për mirëmbajtjen dhe operimin e tunelit 111 muaj.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.