Rruga e Kombit, edhe 4 milionë USD për monitoruesin e koncesionit
Rruga e Kombit, ashtu siç mban rekordin e investimit më të shtrenjtë publik në vend duket se do të thellojë bilancin e saj. Këtë herë nuk po flasim për subvencionet që buxheti duhet të paguajë ndaj koncesionarit, por për procesin e monitorimit të koncesionit.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës po kërkon tashmë një strukturë të pavarur që do të monitorojë zbatimin e detyrave që ka koncesionari për një periudhë 60 mujore. Kjo strukturë private do të ketë të paktën 14 persona, ku shumica inxhinierë me përvojë.
Në dispozicion për këtë janë vënë 485 milionë lekë apo rreth 4 milionë dollarë, të cilat do të paguhen në masën 50 për qind nga buxheti dhe 50 për qind nga koncesionari që në këtë rast është konsorciumi ku bëjnë pjesë kompanitë Salillari dhe Kastrati.
“Inxhinieri i Pavarur do të certifikojë në mënyrë të pavarur performancën nëpërmjet auditimeve të sistemeve të garantimit të cilësisë të Koncesionarit, si dhe nëpërmjet Sistemeve të veta të Cilësisë, nëpërmjet inspektimit dhe auditimit të performancës së Koncesionarit mbi punë dhe shërbime specifike. IP do të kryejë këto auditime të kontrollit të cilësisë për sa është e nevojshme konfirmimi i certifikimit të konformitetit të Koncesionarit” sqarohet nga Ministria e Transportit.
Struktura monitoruese do të shohë nga afër çdo detaj, madje do të fokusohet edhe tek mënyra sesi do të bëhet pagesa në rrugë, rastet e mashtrimeve, një aspekt ky shumë i ndjeshëm në bilancin total në koncesionit.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.