Rruga Kardhiq-Delvinë ARRSH hap garën për 2 lote – Do kushtojnë 4.2 mld lekë
Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka hapur rrugën ndërtimit të pjesës së mbetur të rrugës Kardhiq-Delvinë. Ditën e enjte kanë nisur procedurat për tenderimin e punimeve për 2 nga 4 lotet ku do të ndahen 16.2 kilometrat e pandërtuara të rrugës.
Loti i pestë, i cili ka një gjatësi prej 3.1 kilometrash pritet të kushtojë 1.82 miliardë lekë, ndërsa loti i gjashtë me gjatësi 4.8 kilometra ka një fond limit në dispozicion prej 2.38 miliardë lekësh. Për dy lotet e mbetura, 4 dhe 7, gara pritet të hapet zyrtarisht në vijim.
Sipas parashikimeve të bëra më herët nga qeveria, puna për këtë aks pritet të nisë brenda vjeshtës së këtij viti. Ndërkohë që përfundimi i punimeve pritet brenda një periudhe 2-vjeçare.
Të dyja lotet e hapura sot përfshijnë edhe ndërtimin e dy urave dhe një nënkalimi, ndërkohë që projekti, në lotin e 7-të parashikon ndërtimin e tunelit të Skërficës me gjatësi rreth 1 kilometër.
Aksi do të lidhë Delvinën e Sarandën me Kardhiqin, duke shkurtuar kohën e mbërritjes drejt Tiranës në vetëm 3 orë. Rruga 32 kilometra e gjatë mundëson gjithashtu lidhjen më të shpejtë të Gjirokastrës me bregdetin, duke evituar Qafën e Muzinës, për të vijuar përmes Nivicës.
A.H./SCAN
MIRËMËNGJES 😃dhe me këto pamje të rrugës Kardhiq – Delvinë, një nga projektet e paketës transformuese për ekonominë dhe turizmin e të gjithë zonës, që siguron lidhjen shumë më shpejt të Gjirokastrës me bregdetin, ju uroj një javë të mbarë 🌹
Posted by Edi Rama on Sunday, May 20, 2018
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.