Rruga Korçë-Ersekë. ARRSH, gati tenderin për ndërtimin e lotit 2, vlera 2.4 mld lekë
Autoriteti Rrugor Shqiptar planifikon të hapë në muajin nëntor procedurën e prokurimit publik për ndërtimin e lotit 2 të rrugës Korçë-Ersekë. Fondi limit i parashikuar kap vlerën e 2.4 mld lekëve, teksa përfshin vetëm pjesën e parë të këtij loti. Ky është një prej akseve më të zvarritur në drejtim të punimeve, duke qenë se zbatimi i projektit nisi qysh në vitin 2013, ndërkohë që në shtator të vitit 2018 përfunduan punimet në një gjatësi prej 17.6 km që përfshinin vetëm lotin e parë.
Gjatë inaugurimit të këtij segmenti, ministri i asaj kohe i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri premtoi se qeveria do të financonte dhe 2 lotet e tjerë të veprës. Teksa premtimi i përforcua edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili gjithashtu premtoi se në vitin 2019 do të fillonte edhe ndërtimi i pjesës tjetër të mbetur të rrugës, për të çuar deri në fund të gjithë projektin.
Por, pavarësisht këtyre deklaratave, punimet jo vetëm që nuk kanë nisur, por për lotin 2 nuk kanë nisur ende as procedurat tenderuese. Sipas regjistrit të parashikimeve të ARRSH, nëse procedura hapet në muajin nëntor të këtij viti, me gjasë kontrata do të nënshkruhet në fillim të vitit që vjen, pra në vitin 2021. Rruga Korçë-Ersekë është një aks kyç në rajonin jug-lindor, ndërsa projekti parashikon ndryshime të rrugës aktuale, duke shmangur disa prej segmenteve, të cilët në dimër paraqesin problematikë nga ngricat dhe bora.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.