Rruga Tiranë – Elbasan, marrëveshja e huasë kalon me ‘dyer të mbyllura’ në Komision
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin votoi në mbledhjen e së martës ratifikimin e marrëveshjes së huasë mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim, për financimin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Marrëveshja parashikon akordimin e një financimi shtesë për projektin e kësaj rruge me një vlerë prej rreth 35 milionë dollarë. Mbledhja e komisionit u zhvillua me dyer të mbyllura për median, një praktikë jo shumë e ndjekur për marrëveshje të ngjashme tregtare.
Burime të “TV SCAN” pranë këtij komisioni thanë se përfaqësuesit e Ministrisë së Transporteve raportuan për kushtet e marrëveshjes dhe impaktin që pritet të ketë për zonën ku po kryhen punimet, pasi afati për përdorimin e këtyre fondeve është deri në 3 vjet.
Më herët, nga Banka Islamike për Zhvillim në vitin 2011 është akorduar një kredi në vlerën e rreth 223 milionë dollarëve për financimin këtij aksi. Sipas relacionit të qeverisë, për përfundimin e plotë të projektit, i cili thuhet se ka hasur probleme për shkak të rrëshqitjeve të ndodhura përgjatë këtij aksi, do të akordohet një financim shtesë me kredi nga Banka Islamike për Zhvillim, në vlerën prej 35 milionë dollarëve.
Në projektligjin që pritet të votohet në seancën plenare të javës së ardhshme, qeveria argumenton se shkaqet kryesore që kanë ndikuar në mosfinalizimin e projektit lidhen me problemet gjeologjike, si rrëshqitjet dhe lëvizjet gjeoteknike në zonën e Mulletit.
Gjatësia totale e zonave problematike ku është e nevojshme ndërhyrja është 4 km. Zërat kryesore që duket se kanë peshën më të madhe në këto punime janë gërmimet, masat mbrojtëse nga rrëshqitjet, punimet që do të kryhen për spostimet e rrjeteve të shtyllave të tensionit të lartë etj.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.