Rumania konfirmon rastin e dytë të kërcënimit për bombë në një fluturim mbi qiellin e saj në vetëm disa ditë!
Më 22 mars, një avion i Forcave Ajrore Rumune përgjoi dhe shoqëroi një avion civil që operonte një fluturim të Turkish Airlines nga Moska në Stamboll, pas informacionit për një alarm për bombë në aeroplan.
Avioni rumun u ngrit në orën 17:58 me orën lokale dhe pas përgjimit, shoqëroi avionin civil, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi, deri në orën 18:24, kur u largua nga hapësira ajrore kombëtare, raporton Agerpres.
Misioni, i komanduar nga Qendra e Operacioneve Ajrore të NATO-s (CAOC) Torrejon dhe i koordinuar në nivel kombëtar nga Qendra e Raportimit dhe Kontrollit të Komandës Ajrore, në koordinim me autoritetet civile të trafikut ajror, u krye në siguri maksimale.
Ky ishte alarmi i dytë i tillë i rremë për bombë në vetëm disa ditë.
Natën e së shtunës në të dielën (19-20 mars), një fluturim i Wizz Air që udhëtonte në linjën nga Kutaisi (Gjeorgji) për në Varshavë, u përball me një situatë të ngjashme emergjente. Kur avioni ishte në hapësirën ajrore rumune, pilotët dyshohet se informuan kontrollorët e trafikut ajror për një alarm për bombë. Më pas, sipas Ministrisë Hungareze të Mbrojtjes, avioni i kompanisë me kosto të ulët u shoqërua nga avionët luftarakë të Forcave Ajrore Rumune drejt daljes nga hapësira ajrore rumune. RomaniaInsider
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.