Rusia dhe Koreja Veriut në prag samiti-Premtojnë forcim të lidhjeve
Z.Kim Jong-un i Koresë së Veriut dhe Z.Vladimir Putin i Rusisë, gjatë takimit të tyre paraprak në qytetin portual të Vladivostokut në lindjen e largët të Rusisë, kanë premtuar të forcojnë lidhjet e dy vendeve në samitin e tyre të parë.
Udhëheqësit thuhet se diskutuan mbi denuklearizimin , si dhe për mbështetjen e Rusisë në përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet e Koresë së Veriut me SHBA, të cilat u ndërprenë pas samitit të muajit Shkurt.
Z.Jong tha se të dy udhëheqësit patën një “shkëmbim mendimesh të rëndësishëm për çështjet me interes të përbashkët dhe çështjet aktuale”. Gjithashtu si u shpreh “se pret një takim shumë të dobishëm në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, të cilat kanë një miqësi dhe histori të gjatë, në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më të shëndoshë”.
Ndërkaq Z. Putin u shpreh se palët kishin diskutuar edhe për marrëdhëniet midis dy Koreve, “dhe çfarë mund të bëjmë në mënyrë që të ketë perspektiva të mira për përmirësimin e situatës”.
Çfarë pritet nga ky samit?
Sipas zëdhënësit presidencial rus, Dmitri Peskov, Kremlini beson se bisedimet gjashtë palëshe për Korenë e Veriut, të cilat janë aktualisht të bllokuara, janë e vetmja mënyrë efikase për të trajtuar çështjen e armëve bërthamore në gadishull.
Këto bisedime, të cilat filluan në vitin 2003, përfshijnë dy Koretë, Kinën, Japoninë, Rusinë dhe SHBA. “Për momentin nuk ekziston mekanizëm tjetër ndërkombëtar efikas”, tha z. Peskov për gazetarët të mërkurën. “Por, nga ana tjetër, edhe vende të tjera janë duke bërë përpjekje të cilat meritojnë mbështetje për aq kohë sa ato synojnë denuklearizimin dhe zgjidhjen e problemit të dy Koreve”.
Kjo vizitë shihet gjerësisht si një mundësi për Korenë e Veriut për të treguar se ka aleatë të fuqishëm pas ndërprerjes së bisedimeve me SHBA në Shkurt.
Vendi ka fajësuar Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Pompeo për dështimin e samitit në Hanoi. Koreja e Veriut kish kërkuar para takimit që Z.Pompeo të largohej nga bisedimet bërthamore, duke e akuzuar atë se ‘flet nonsense’ dhe se dikush ‘më i kujdesshëm’ duhet ta zëvendësonte.
Analistët thonë se samiti është një mundësi për Rusinë që të tregojë se është një lojtar i rëndësishëm në gadishullin Korean.
Rusia, si SHBA dhe Kina, nuk është e kënaqur me faktin se Koreja e Veriut është një shtet bërthamor.
Burimi: BBC
E.S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.