Rusia do zëvendësojë SHBA – Planifikon të 4-fishojë eksportet bujqësore drejt Kinës, kryesisht sojën
Rusia planifikon të rrisë ndjeshëm furnizimin e Kinës me produkte bujqësore, dhe kryesisht sojë. Kjo lëvizje e Rusisë vjen pas tensioneve mes dy ekonomive më të mëdha të botës. Përplasjet tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës rrezikojnë të krijojnë disbalanca të mëdha në tregun më të madh konsumator në botë sot.
Kina së fundmi ka ulur ndjeshëm importet e sojës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Rusia duket se do ta shfrytëzojë këtë mundësi që i jepet. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e Kinës me Rusinë janë shumë të mira për momentin, dhe dy vendet mund ta shfrytëzojnë këtë partneritet strategjik mes tyre.
Ekspertët rus shprehen se produktet ruse ofrojnë edhe avantazhe të tjera, si kosto më të ulëta të transportit duke pasur parasysh afërsinë gjeografike, por edhe faktin se, këto produkte nuk janë të modifikuara gjenetikisht, ndryshe nga ato amerikane, kryesisht në rastin e sojës. Në 2016, Shtetet e Bashkuara përmbushin 62% të nevojës për sojë të Kinës, ndërsa në 2018, kjo normë ra në 18%. Rusia parashikon kështu që të katërfishojë eksportet e sojës drejt Kinës në 3-4 vitet e ardhshme.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.